Seriali “Adoleshenca”, një përspektivë psikologjike
- dorentinadt
- 7 days ago
- 4 min read
Marrëdhëniet familjare
Lidhja emocionale me familjen është shumë e rëndësishme duke qenë se na formëson si individ në moshën e re, ku sigurisht lë gjurmë pastaj përgjatë gjithë jetës. Në rastin e Jamiet, ai nuk kishte një marrëdhënie mjaftueshëm të shëndetshme me familjen e tij duke qenë se ekzistonte një zbrazëti në mes marrëdhënies së tij me babain, i cili ishte një figurë idealizuese për të. Seriali në këtë rast na tregon sesa e rëndësishme është figura e babait në rritjen e djemve të rinj, ku cilësitë e babait që ashtu quajtura “burrërore” janë normalizuar në këtë shoqëri. Ndërsa marrëdhënia e tij me nënën qëndron pak e eksploruar por vlen të theksohet, që nëna në këtë rast tregonte kujdes ndaj preferencave të Jamiet, duke sugjeruar një marrëdhënie emocionale më të sigurt. Dinamika familjare e serialit, është mjaft e përhapur ku duhet theksuar se për shqetësimet e Jamiet është thjesht një nga faktorët e shumtë që e drejtojnë drejt vendimit të tij.
Vështirësi në kontrollin e emocioneve
Ashtu siç besoj për të gjithë profesionistët e fushës, episodi i tretë ishte mjaft i rëndësishëm ku arrite të merrje përgjigje edhe për pyetjet e jo të menduara. Jamie gjatë takimit me psikologen kalon në një luhatje të vazhdueshme emocionale; nga kërkimi i aprovimit të psikologes deri te vetë konfirmimi i aktit të bërë. Në rastet kur kalon në cenueshmëri; shfaqte zemërim që buronte nga ndjenjat e papërpunuara të grumbulluara prej kohësh brenda tij që po prisnin momentin të shpërthenin. Është e rëndësishme të pohojmë se duke qenë se Jamie është në një fazë adoleshence ku vazhdimisht po kalon nëpër ndryshime si fizike ashtu edhe njohëse; disa nga luhatjet emocionale janë normale për moshën e tij por që shumë nga adoleshentët kanë aftësi shumë të mira të menaxhimit të këtyre emocioneve. Shpërthimet e Jamiet në këtë rast janë thjesht thirrje ndihme për humbjen e kontrollit të jetës së tij.
Moskuptimi i realitetit
Koncepti i “vdekjes”, ndonjëherë ndodh që të jetë një term abstrakt i vështirë për t’u kuptuar duke qenë se kërkon kalimin e disa fazave për ta kuptuar plotësisht. Mosmarrja e përgjegjësisë nga ana e Jamiet tregon qartë që ai nuk i kupton shumë mirë pasojat e veprimit të tij. Ndodh shpesh në situata të ngjashme ku personi fillon të krijojë narrativa në interesin e tij vetëm që të mos arrijë të pranojë apo të kuptojë të vërtetën. Në episodin e parë Jamie në asnjë moment nuk e gënjen babin e tij, ai thotë: “I did nothing wrong”, dhe ashtu në fakt e mendonte, nuk ka bërë asgjë të gabuar sepse nuk i kuptonte pasojat e veprimit të tij duke qenë se ishte duke u mbytur në ndjenjën e hakmarrjes ndaj viktimës.
Refuzimi dhe bullizimi
Arrijmë të kuptojmë që Jamie ka qenë gjithnjë duke u bullizuar nga bashkëmoshatarë të tij, por që mllefi i tij drejtohet krejtësisht ndaj viktimës duke qenë se edhe ajo ishte ndër bullizuesit. Nëpërmjet rrjeteve sociale ai është i quajtur “incel” që ka kuptim si i dëshpëruar për të gjetur partner romantik apo seksual por i pasuksesshëm për të gjetur. Kjo gjë ka ndikuar në “egon” e Jamiet dhe besimet e tij në “burrëri”. Arsyeja e urrejtjes së tij buron nga refuzimi i viktimës që i ishte bërë për takimin e tij, ku ky i fundit kishte menduar që ishte në momentin e duhur për të marrë aprovimin që kishte rrjedhur nga besimet “tradicionale” që tashmë kishte marrë.
Dobësia dhe dëshira për fuqi
Pas shpërndarjes së fotove intime pa leje të viktimës, Jamie fillon ta konsiderojë më të dobët viktimën dhe në këtë mënyrë ai do kishte më shumë mundësi të pranohej nga ana e saj për takim, por që ndodh e kundërta. Ai e keqinterpreton situatën, në mënyrë që ta kuptonte shqetësimin e viktimës në një kohë të tillë, ai mendon për përfitim personal. Jamie kishte kaq shumë dëshirë për fuqi që buronte pikërisht nga “pafuqia” e tij, ku filloi të mendonte se nëpërmjet manipulimeve dhe zemërimit ishte e vetmja mënyrë për të marrë vlerësimin që ai dëshironte ta kishte.
A është Jamie viktimë apo keqbërës?
Dëgjoj perspektiva; disa që justifikojnë veprimin e tij për shkak që kishte rrjedhur si pasojë e bullizimit ndaj viktimës, por që veprimi i Jamiet nuk duhet justifikuar në këtë rast. Izolimi social, shqetësimet emocionale, bullizimi dhe influencat e gabuara e dërguan atë drejt një rruge jo të drejtë. Urrejtja ndaj botës e bëri atë që të bëhej viktimë e dhimbjes së tij. Por që zgjedhja e tij ishte e gabuar. Personazhi në këtë rast është të dyjat: viktimë dhe keqbërës, rezultat i dhimbjes së paprocesuar.
Çfarë mësojmë nga seriali:
Influencimi i gabuar që mund të marrin fëmijët tanë nga mjedise të ndryshme mund të ketë më shumë ndikime sesa marrim me mend.
Ndikimi i marrëdhënies prind dhe fëmijë është mjaft i rëndësishëm për formësim të shëndetshëm.
Ndikimi i mosmenaxhimit të shëndetshëm të rrjeteve sociale tek të rinjtë mund të ketë pasoja fatale në një spektër të gjerë.
Figurat akademike janë njëjtë po ashtu të rëndësishme në mirëqenien e një të riu, ku shërbejnë si përkrahje akademike dhe emocionale në sfidat që të rinjtë kalojnë.
Zhvillimi jo shumë i mirë i inteligjencës emocionale tek prindërit, mësuesit apo çdo person në kontakt me këta të rinj ndikon në mungesë të një bashkëbisedimi të shëndetshëm, ku si pasojë adoleshentët ndjehen të pakuptuar.
Comments