top of page

A mendoni se truri i të gjithë njerëzve është i njëjtë biologjikisht?

  • Writer: Dori
    Dori
  • Oct 20, 2024
  • 3 min read

Updated: Oct 31, 2024

Pjesa kognitive e njeriut na bën unikë, duke na dalluar secilin nga tjetri në mënyrën si flasim, në mënyrën sesi jemi kritikues për botën që na rrethon apo në mënyrën që arrijmë të vlerësojmë.


Por a janë qelizat e trurit tonë të ndërtuara krejtësisht njëjtë me një person tjetër? Rastisa në këtë pyetje që tashmë e dija përgjigjen bazike, por duhet të hulumtoja më shumë.



Struktura dhe Madhësia e Trurit


Madhësia e trurit varet nga numri i neuroneve dhe sa të dendura janë të vendosura. Kur flasim për madhësinë e trurit, në fakt flasim për një mesatare që del nga matje të ndryshme.


Kokat e njerëzve kanë madhësi dhe forma të ndryshme, kështu që hapësira për trurin ndryshon nga një individ tek tjetri. Kjo e bën të vështirë përcaktimin dhe krahasimin e saktë të madhësisë së trurit. Ndërsa numri i neuroneve është parametri më i rëndësishëm, por edhe ai mund të hamendësohet vetëm duke marrë mostra të vogla nga truri. Shkencëtarët pranojnë një mesatare prej rreth 90 miliardë neuronesh për një tru të rritur.



Madhësia e Trurit dhe Inteligjenca


Madhësia e trurit gjithashtu ndryshon gjatë jetës. Deri në moshën 24, truri zhvillohet duke rritur neurone të reja. Më pas, neuronet nuk shtohen më dhe vetëm zëvendësojnë ato të dëmtuara, proces që ndodh ngadalë gjatë gjumit. Kështu që nëse nuk kujdesesh mirë për trurin, madhësia e tij zvogëlohet me kohën.


Madhësia e trurit nuk lidhet me inteligjencën, por me sasinë e informacionit që truri mund të përpunojë. Një person më i vogël mund të ketë tru më të vogël, por kjo nuk e bën më pak të zgjuar, pasi ka nevojë të përpunojë më pak informacion për të funksionuar.



Përvojat dhe ndikimi i tyre në tru


Një studim mjaft i këndshëm që ishte bërë së fundmi nga Universiteti i Zyrihut theksonte se përjetimet lënë shenja në tru. Muzikantët, lojtarët e golfit ose shahistët profesionistë shpesh zhvillojnë veçori unike në pjesët e trurit që përdorin më shpesh për aktivitetet e tyre.


Por shkencëtarët theksonin se edhe përvojat e përkohshme mund të lënë ndikim në tru: për shembull, nëse e mban krahun e djathtë pa lëvizur për dy javë, zona e trurit që kontrollon atë krah fillon të tkurret. Këto përvoja ndikojnë që truri të bashkëveprojë me gjenet, duke bërë që, me kalimin e viteve, secili person të zhvillojë një strukturë të trurit krejtësisht unike.



E veçanta e trurit


Për të testuar teorinë e tyre, ky ekip i shkencëtarëve të këtij universiteti studiuan trurin e rreth 200 të rriturve që ishin të shëndetshëm duke përdorur rezonancë magnetike tre herë brenda dy viteve. Ata analizuan mbi 450 veçori anatomike të trurit, përfshirë disa të përgjithshme si vëllimin total të trurit, trashësinë e korteksit dhe vëllimin e materies gri dhe të bardhë.


Për secilin nga 191 pjesëmarrësit, studiuesit mundën të dallonin një kombinim unik të këtyre veçorive, duke arritur një saktësi mbi 90 për qind, edhe për detajet më të përgjithshme të trurit.


Tre skanime të trurit (nga përpara, nga ana dhe nga lart) të dy trurëve të ndryshëm (të paraqitur në të majtë dhe në të djathtë) që i përkasin binjakëve.


Studimi i tyre tregoi qartë se struktura e trurit është unike për çdo njeri. Faktorët gjenetikë dhe jo-gjenetikë jo vetëm që ndikojnë në funksionimin e trurit, por edhe në formën dhe ndërtimin e tij. Megjithatë, nuk pritet që skanimet MRI të zëvendësojnë gjurmët e gishtave për identifikim, pasi janë shumë të kushtueshme dhe kërkojnë më shumë kohë. Një pikë kyçe nga këto rezultate është se tregojnë progresin e madh në neuroshkencë. Para 30 vjetësh, askush nuk mendonte se truri kishte karakteristika individuale, e aq më pak që do të mund të identifikoheshin njerëzit përmes anatomisë së trurit. Tani, falë përmirësimeve të MRI-së dhe teknologjisë së përpunimit të të dhënave, e dimë se truri i çdo njeriu është unik.



"Fun fact" perfundues


Gjatë leximit të këtyre artikujve shkencorë arrita të kuptoja një "fun fact" shumë të bukur. Zemra e njeriut ka neurone të ngjashme me ato të trurit. Me siguri po mendoni menjëherë se nëse kryen të njëjtin funksion, sado pak, si truri. Por këto neurone nuk përpunojnë mendime komplekse si neuronet e trurit, por kontribuojnë në rregullimin e ritmit të zemrës dhe ndihmojnë në reagimin emocional.


Hulumtimet tregojnë se zemra ka një rol më të rëndësishëm në përvojat tona emocionale dhe mirëqenien tonë sesa mendonim më parë.


Prandaj, njerëz të dashur, kujdesuni për zemrën dhe trurin pa ndryshim!


Me ngrohtësi,


Dori!

Comments


bottom of page