Për ty që ke frikë të vazhdosh përpara...
- Dori
- Oct 20, 2024
- 4 min read
Updated: Oct 31, 2024
Zona e rehatisë dhe dilemat e brendshme
Sa herë e kemi gjetur veten në një zonë rehatie të pafund, që nuk na plotëson por thjesht e kemi të pamundur të bëjmë një rrugë të re. Vazhdon të mendosh nëse deri aty ke bërë zgjidhjet e duhura, çfarë do të ndodhte nëse do kishe marrë një vendim më ndryshe dhe si do të ishin rezultatet.
Ky artikull ka për qëllim të fokusohet te rastet kur jemi shqetësuar nga marrëdhënie si: romantike, miqësie, familjare apo edhe në mes kolegëve. Marrëdhëniet njerëzore janë po aq të lehta po ashtu edhe të vështira si pasojë e një komunikimi të dobët.
Marrëdhëniet dhe shqetësimet emocionale
Shumë nga ne shqetësohet nga ndjenja të pazgjidhura çdo ditë. Para pak kohësh një mike më fliste sesi e kishte të vështirë të vazhdonte përpara pas ndarjes nga ish i dashuri. Zakonisht këshillat që jap janë që të ballafaqohen me atë që ndjejnë.
Çfarë po vazhdon të tërheq nga mbrapa? Është shumë e vështirë të lësh mbrapa një person të atillë që ke thurur dëshira dhe ëndrra, prandaj disa nga ne fatkeqësisht ato ndjenja i shndërrojmë kundër nesh, duke u përpjekur vazhdimisht të gjejmë një efekt negativ tek vetja jonë që e supozojmë se ata duhet të kenë menduar për ne, dhe kështu mbushemi me ndjenjën e pasigurisë që vetëm na shtyn drejt një humnerë të errët.
Çlirimi nga marrëdhëniet që nuk na plotësojnë
Çdo njeri nga ne e ka një moment specifik që ka menduar: kjo gjë është e kotë, pasi ka vazhduar të mos shohë rezultate. Ajo që kam praktikuar personalisht, dhe jo domosdoshmërisht mund të zbatohet tek çdo njeri nga ne, është kjo: Kur fillon të ndjehesh jo aq rehat nga një lidhje, pa marrë parasysh çfarë mund të jetë, vendos një limit. Vazhdo të shfaqësh përpjekje të vazhdueshme për ta mbajtur atë lidhje, përveç nëpërmjet komunikimit, bëje edhe me vepra.
Personat e duhur do ta vlerësojnë. Shumë nga ne refuzojmë të bëjmë vetëm pak më shumë nga krenaria dhe vetë-respekti. Prandaj vendos kufirin tënd që domosdoshmërisht nuk do ta kalosh asnjëherë. Dhe nëse vazhdon të mos jetë e dyanshme, ke marrë përgjigjen përfundimtare. Mbyll kapitullin.
Distancimi dhe kufinjet si strategji për lirinë emocionale
Jepi vetëm pak kohë vetes të pranosh faktin që ky person së shpejti do jetë jashtë nga vendi që ka mbajtur në jetën tënde. Dhe bëj distancën. Disa lidhje na rëndojnë më shumë kur në fakt duhet të na bëjnë më të lehtë. Shumë persona vijnë në jetën tonë për të na dhuruar ngrohtësi vetëm në një pjesë të jetës, dhe duhet pranuar që jo çdo herë do jenë aty me ty.
Raste me vështirësi që të vazhdosh përpara ka plot, nga situatat më të ndryshme ku na bëjnë të mendojmë për pendime apo dëshira për të ndryshuar, sepse tani që ndodhesh në të ardhmen e ke kuptuar realitetin. Je penduar që ke dhënë dorëheqje nga vendi i punës ngaqë je zhgënjyer nga realiteti i ri. Epo, ndoshta duhet të ndryshosh vetëm rrugën, jo të kthehesh krejtësisht mbrapa.
Ke marrëdhënie jo aq të mira me një person nga familja dhe sigurisht nuk mund t’i shporrësh nga jeta jote krejtësisht. Por është në dorën tënde autoriteti qe ti u jep atyre mbi ty. Duke limituar këtë, do bëhet më e lehtë për ty.
Efektet pozitive të shkëputjes nga marrëdhëniet toksike
Në psikologjinë sociale janë fokusuar shumë hulumtues në këtë pjesë, ku kanë treguar anën pozitive që mund të vijë si pasojë e mbajtjes së distancës me disa persona apo heqja nga jeta jote fare. Ndonjëherë, efekti që kanë të tjerët tek ne është më i madh sesa e mendojmë ne, prandaj është e rëndësishme të kemi pranë persona që na japin paqe dhe kanë efekt pozitiv që të jemi versioni më i mirë i vetes.
Roy Baumeister, një ndër psikologët socialë të preferuar të mi, ka përmendur shpesh sesi prerja e marrëdhënieve toksike mund të ketë efekte pozitive në menaxhimin e emocioneve, në vetëbesim, reziliencë, ndërgjegjësim, rritje personale drejt qëllimeve dhe një gjendje më të mirë fizike. Po ashtu, do fillosh të vlerësosh rëndësinë e cilësisë sesa sasisë.
Pasojat e prerjes se maredhenieve
Epo, ky artikull nuk ka për qëllim të tregojë vetëm pjesën pozitive pasi të presësh marrëdhëniet me dikë, pas kësaj duhet të përballesh me pasojat që do vijnë: mbajtja e llogarisë për sjelljen, ndjenja e fajit nëse ke bërë gjënë e duhur, ndjesi izolimi nga shoqëria, fillon të dyshosh nëse ke pasur një gjykim të duhur për këtë situatë, hap konflikte nga pakënaqësia dhe mund të lëndosh të tjerët.
Reflektime
Prandaj është e rëndësishme që kur të marrësh vendime të tilla të rëndësishme t’i japësh vetes kohë të mendosh mirë dhe të mos marrësh një vendim të nxituar vetëm nga gjendja emocionale jostabile e momentit.
Lidhjet e vlefshme janë ato që nuk të shqetësojnë vazhdimisht, që merr kënaqësi prej tyre dhe nuk të lodhin emocionalisht. Të japin paqe.
Koha dhe distanca janë përgjigjet më të duhura për çdo gjë nëse dëshiron rezultate cilësore.
Me ngrohtësi,
Dori!
Comments