Kur filozofët bëhen terapistë
- Dori
- Oct 20, 2024
- 5 min read
Updated: Oct 31, 2024
Zbrazëtia e një mendjeje të trazuar
Na ishte njëherë një vajzë e re që të tjerët mendonin se ajo kishte çdo gjë për të qenë e lumtur. Kishte punë, familje dhe miq që e mbështesnin. Por përherë brenda vetes ndjente një boshllëk që dukej sikur e hante nga brenda dhe nuk e kuptonte nga vinte. Nuk arrinte të gjente një kuptim në jetën e saj pasi çdo gjë i dukej e zbehtë dhe e pakuptimtë.
Dhe një ditë të bukur dhjetori, vendosi të takohej me një terapeut. Seanca filloi mirë, po tregonte për veten, problemet dhe çfarë i pëlqente. “Çfarë është jeta për ty?” e kishte pyetur terapeuti që e kishte hutuar. Nuk kishte qenë pyetje që e priste, por ndjeu që brenda saj diçka po lëvizte. Pasi mendoi mirë, u përgjigj: “Hmmm, nuk e di… ndoshta një udhëtim që po kërkoj të gjej kuptim…” dhe menjëherë terapeuti e kishte pyetur: “Dhe në këtë udhëtim, çfarë mendon që të ka humbur që të bën të ndihesh e zbrazët?”.
Një pyetje kaq e thjeshtë që e kishte lënë të pafjalë dhe të heshtur për disa minuta. Nuk e kishte menduar zbrazëtinë e saj në këtë mënyrë dhe nuk arrinte të gjente një përgjigje të duhur. Terapeuti e vuri re hutimin e vajzës dhe nuk i vuri shumë presion, prandaj vendosi që t’i hapte pyetje filozofike që ishin mbuluar nga pluhuri i harresës. Folën për shumë gjëra, për absurditetin e jetës, për frikën nga mosarritjet dhe për kërkimin e përhershëm për kuptim. Po i pëlqente mënyra sesi terapeuti fliste për gjërat, dhe duke e ditur etjen e saj për filozofi, terapeuti i dha një detyrë që të lexonte Viktor Frankl.
Në një seancë tjetër, kur ajo po tregonte për një problem të saj, qau për herë të parë dhe tha: “Po përpiqem vazhdimisht të jem perfekte, por aq më shumë se përpiqem, aq më larg distancohem nga qëllimet e mia.” Terapeuti i dha hapësirën e duhur për të shpaluar çdo gjë që ndjente në atë moment, derisa në një moment tha: “Ndoshta në vend që të përpiqesh vazhdimisht të arrish gjithçka, duhet të mësohesh të jetosh me pyetjet dhe jo me përgjigjet. Ashtu siç na mëson filozofia, kuptimi nuk është destinacioni, por një proces i vazhdueshëm apo i përjetshëm.”
Ishte pikërisht ai moment kur ndjeu një epifani brenda saj; ndoshta kjo ishte, të shikonte jetën nga një perspektivë tjetër. Të përjetonte momentet e vogla në jetën e përditshme dhe të mësonte të jetonte me paqartësitë. Kuptimin nuk mund ta gjente, por duhet ta ndërtonte.
Moment reflektimi
Dhe ja pra njerëz, sa thellë janë të gërshetuara psikologjia me filozofinë. “Cili është kuptimi i jetës?”, “Pse jetojmë?”, “Kush jam unë?”. Për vite me radhë, filozofët më të mëdhenj nga Sokrati deri tek Kierkegaardi, kanë kërkuar përgjigje për këto dilema të thella. Por çfarë ndodh kur këto mendje të mprehta, të pasionuara pas reflektimeve të përjetshme, zgjedhin t’i zbatojnë idetë e tyre në praktikë?
Qëllimi i të dy fushave është mjaft i thjeshtë: të ndihmohet njeriu të kuptojë veten dhe të gjejë mënyre sa më të mire për ta jetuar jetën. Ndoshta pikërisht për këtë arsye shumë filozofë të njohur kanë ndikuar drejtpërdrejt në psikoterapi dhe po ashtu shumë filozofë janë shndërruar në terapistë.
Filozofët duke ndikuar në terapinë ekzistencialiste
Niçe ka ndikuar mjaft shumë në terapinë ekzistencialiste; idetë e tij i kanë kushtuar rëndësi të veçantë fuqisë së vullnetit dhe rëndësisë së krijimit të një jete autentike. Në të njëjtën mënyrë ka ndikuar edhe Viktor Frankl, që ishte gjithashtu krijuesi i logoterapisë, ku sipas tij kuptimi është forca thelbësore që e motivon njeriun.
Dhe sigurisht, ndër pasionantët kryesorë të filozofisë që solli ndikim në psikoterapinë ekzistencialiste është padyshim Irvin Yalom. Dëshirën e tij filozofike e ka përdorur për t’i ndihmuar klientët e tij për t’u përballur me pyetjet e vështira të jetës si frika nga vdekja, izolimi, liria dhe paqartësia.
Ekzistencializmi si një përgjigje
Është pikërisht terapia ekzistencialiste lidh psikoterapinë dhe filozofinë. Qasja tradicionale e psikoterapisë është shërimi i simptomave, por terapia ekzistencialiste fokusohet në pyetjet e rëndësishme të jetës së individit që shpalosin përjetime të thella. Duke u përgjigjur këtyre pyetjeve të vështira të jetës që kemi secili nga ne, atëherë kjo qasje synon t’i udhëheqë drejt një jete autentike. Dhe pikërisht këtu filozofët, duke u bërë terapistë, kanë sjellë një pasuri të re duke i ndihmuar individëve të zgjidhnin këto komplekse të brendshme.
Përveç filozofëve që tashmë përmenda, Sartre dhe Heidegger po ashtu kanë ndikuar shumë me idetë e tyre, duke reflektuar mbi lirinë dhe përgjegjshmërinë e individit për të krijuar një kuptim për jetën e tyre. Këta dhanë idenë se ne nuk jemi viktima të fatit tonë, por krijues të tij, dhe është pikërisht ky koncept që i ndihmon klientët të marrin në kontroll jetën e tyre.
Duke u berë stoik
Një nga qasjet filozofike që përsonalisht më ka pëlqyer shumë përveç ekzistencializmit është edhe Stoicizmi, një nga shkollat më të lashta filozofike. Fokusi kryesor i kësaj qasje është arritja e të jetuarit një jetë të përmbushur pavarësisht rrethanave, dhe kjo të arrihet nëpërmjet menaxhimit të emocioneve dhe mendimeve tona.
Nëse jeni të konsumuar edhe ju si unë me rrjetet sociale, besoj që duhet ta keni parë atë fëmijën me atë thënien e rëndësishme: “You can't control the wind but you can adjust the sail, it's not about what happened to you. It's how you react to make a better choice.” Që në shqip është: “Ju nuk mund ta kontrolloni erën, por mund të rregulloni velat. Nuk ka të bëjë me atë që ju ka ndodhur, por me mënyrën se si reagoni për të bërë një zgjedhje më të mirë." Dhe pikërisht të njëjtën gjë e kanë thënë edhe shumë filozofë të njohur stoik si Epikteti, Seneka, Mark Aureli dhe shumë të tjerë se lumturia dhe qetësia mendore nuk ka të bëjë fare me çfarë është jasht nesh, por me qëndrimin që mbajmë ndaj këtyre ngjarjeve.
Domethënë, stoikët besojnë që mund të kemi kontroll mbi mendimet, emocionet dhe sjelljet tona, ndërsa gjithçka tjetër që na rrethon; fati, njerëzit që na rrethojnë, rrethanat e jetës janë të pakontrollueshme dhe nuk duhet t’i lejojmë që të na shqetësojnë.
E pamundur të mos jenë së bashku
Tani si lidhet kjo qasje filozofike me psikoterapin? Fare e thjeshtë, nëpërmjet CBT-së moderne (Terapinë Kognitive të Sjelljes) që është një lloj terapie që përdoret për trajtim të disa çrregullimeve si ankthi dhe depresioni. Ideja kryesore e CBT-së është sesi mendimet tona ndikojnë në ndjenjat dhe veprimet tona, dhe pikërisht është thelbi i asaj se çfarë kishin menduar stoikët nga kohët e lashta.
Domethënë, nuk janë ngjarjet që na shqetësojnë, por mënyra sesi ne i interpretojmë ato. Pikërisht këtë e ka thënë Epikteti në vitin 50 para Krishtit; “Nuk janë gjërat ato që shqetësojnë njerëzit, por gjykimet që bëjmë për ato gjëra." Pikërisht ideja që përdoret në këtë qasje terapeutike duke i sfiduar mendimet negative dhe duke i ndryshuar ato, mund të ndryshojmë edhe përvojat emocionale që lidhen me to.
Ekzistencializmi si fëmija i stoicizmit
Edhe terapia ekzistencialiste ndan shumë burime nga stoicizmi. Për të dyja, pranimi i përkohshmërisë së jetës dhe përballja me frikën nga vdekja janë elemente kyçe për të arritur një jetë më të qetë dhe më të përmbushur. Poashtu edhe stoikët i kanë kushtuar vëmendje “memento mori” që në shqip është “mos harroni se duhet të vdisni”, që ka përqellim për të vlerësuar jetën dhe përqendrimin të jetës tek ajo që është e rëndësishme.
Një thënie shumë e bukur vjen nga stoiku Seneka që tha: “Një det i qetë nuk e bën një marinar të aftë”, që tregon për rëndësinë e qëndrushmërisë sonë dhe të mësuarit sesi të përballojmë vështirësitë në qetësi.
Dhe mos harroni, një mendje stoike nuk kërkon të shmangë vështirësitë, por gjen forcën për t'i përballuar me qetësi dhe urtësi.
Me ngrohtësi,
Dori!
Comments